Secondary Adv

Nga Vau i Dejës te Qyteti Studenti, 114 milionë euro nga Gjermania për energjinë

Shqipëria do të përfitojë rreth 90 milionë euro hua dhe 24 milionë euro grant në kuadër të tre marrëveshjeve të reja qeveritare të nënshkruara me qeverinë gjermane dhe bankën zhvillimore KfW.

Fondet do të financojnë projekte strategjike në sektorin e energjisë dhe në rehabilitimin e konvikteve të Qytetit Studenti, me synimin për të rritur efiçencën energjetike, modernizuar infrastrukturën dhe përmirësuar kushtet për studentët.


Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e cilësoi nënshkrimin e tre marrëveshjeve si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke theksuar se investimet kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e sektorit energjetik dhe në interesin publik.


Një nga projektet kryesore parashikon digjitalizimin e sistemit të transmetimit të energjisë, duke mundësuar automatizimin e proceseve që lidhen me funksionimin e nënstacioneve dhe operimin energjetik. Sipas ministrit, ky investim do të rrisë sigurinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e rrjetit të transmetimit në vend.


Marrëveshja e dytë ka në fokus rehabilitimin e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, një prej aseteve më të rëndësishme publike në prodhimin e energjisë elektrike. Projekti vijon bashkëpunimin shumëvjeçar me qeverinë gjermane dhe KfW për modernizimin e kësaj vepre energjetike strategjike.


Ndërkohë, granti prej 24 milionë eurosh do të përdoret për rehabilitimin e konvikteve të Qytetit Studenti, në kuadër të masave për rritjen e efiçencës energjetike. Investimi synon të krijojë ambiente më komode për studentët, të ulë konsumin e energjisë dhe të përmirësojë kushtet e jetesës dhe të studimit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat